Diskutohen mundësitë për thellim të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Ambasadës Hungareze
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. József Bencze.
Rektori Sahiti e falënderoi ambasadorin Bencze për vizitën e bërë si dhe për bashkëpunimin e gjertanishëm me UP-në. Rektori tha se është i interesuar të lidhë marrëveshje bashkëpunimi për çështje konkrete, të cilat do të ishin në favor të studentëve dhe të stafit të UP-së, sidomos të sigurojë bursa afatshkurtra të shkëmbimit për studentët dhe stafin e UP-së, në mënyrë që studentët të marrin një përvojë jashtë vendit, por dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë.
“Jemi shumë të interesuar që ta vazhdojmë punën në implementimin e planit të UP-së për afrimin e kuadrove nga diaspora. Ata shumë shpesh janë edhe pjesë e institucioneve të rëndësishme dhe kjo do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë dhe në ndërkombëtarizimin edhe të Universitetit të Prishtinës,” tha rektori Sahiti.
Në anën tjetër, ambasadori Bencze i uroi suksese rektorit Sahiti në mandatin e tij në krye të UP-së. Ai e njoftoi rektorin edhe për marrëveshjet e lidhura me MASH-in, për bursa përmes skemës Stipendium Hungaricum, nga e cila, në pesë vjetët e fundit, kanë përfituar bursa nga 50 studentë të Kosovës në vit, ndërsa nga ky vit do të jenë 75 bursa për studentët e të tria niveleve të studimit. Ambasadori Bencze i propozoi rektorit Sahiti poashtu edhe bashkëpunim mes konferencave të rektorëve të vendeve përkatëse.
Të dyja palët pjesëmarrëse në këtë takim u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit përmes lidhjes së marrëveshjeve me universitetet më të mëdha në Hungari dhe për mundësitë e bashkëpunimit përmes ERASMUS+ në kuadër të projekteve të përbashkëta për studentë dhe staf.
