Diplomojnë studentët e UP-së, praktikantë në Institutin Limak për Shërbime Aeroportuale

Administrator Administrator 30 January 2018 Archived

60 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pjesë e gjeneratës II dhe III të programit LIMAK ASI, u certifikuan sot në një ceremoni të organizuar nga Instituti Limak për Shërbime Aeroportuale.

Përvojë unike e konsideroi Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, këtë praktikë të studentëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

“Një rektor universiteti nuk mund të shënoj sukses më të madh, sesa vetë suksesi i studentëve të tij. Është krenari kur shoh studentët tanë tek arrijnë të krijojnë karrierë, e të jenë të dobishëm për shoqërinë. Por, kjo nuk do të ishte e mundur pa partnerë e miq të mirë të Universitetit të Prishtinës, siç është LIMAK-u, të cilët çdo herë kanë treguar gatishmëri për rekrutim të studentëve tanë, duke u hapur atyre rrugët për zhvillim profesional, por njëherësh duke rekrutuar në kuadër të personelit të tyre staf kreativ, me njohuri dhe profesional në punë.” tha Dema në fjalën e tij.

“Profesional dhe shumë të arsimuar, të rrjedhshëm në gjuhë të huaja dhe të gatshëm që të ofrojnë shërbimet më të mira”, ishin këto fjalët me të cilat drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar Limak Kosova SH. A, z. Haldun Firat Kokturk përshkroi studentët pjesëmarrës në këtë program. Ai falënderoi Rektorin Dema dhe Universitetin e Prishtinës për bashkëpunimin, duke theksuar vullnetin e tij që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Diplomimin e studentëve e përshëndeti me fjalë rasti edhe zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, z. Fehmi Mujota, me ç’rast uroi studentët për këtë sukses të shënuar.

Ndërkaq studentët përfitues, Ndriqimi dhe Fjolla, treguan për kronologjinë e rrugëtimit të tyre që nga faza e përzgjedhjes, e deri tek diplomimi. Fjolla ndër të tjerash tha që me këtë përvojë, e ardhmja e këtyre studentëve ka filluar një rrugëtim tjetër, atë të krijimit të ëndrrave.

Përfitues të këtij programi janë studentët nga gjashtë njësi akademike të UP-së. Çdo vit në këtë program aplikojnë rreth 500 studentë, nga ku pas një procesi testimi dhe intervistimi, 30 më të mirët arrijnë të bëhen pjesë e Institutit.