Certifikohen studentët frankofonë të UPHP-së për pjesëmarrje në dy aktivitet e organizuara nga Qendra Frankofone Universitare
Studentëve të Fakultetit të Filologjisë nga departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, u janë ndarë certifikatat për pjesëmarrje në dy aktivitete në kuadër të “Frankofonia 2018”, organizuar nga Qendra Frankofone në UPHP.
Për ndarjen e certifikatave të ftuar ishin: Rektori i UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema, ambasadori francez, shkëlqesia e tij, z. Didier Chabert dhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova.
Rektori Dema u shpreh i kënaqur që në mandatin e tij “frankofonia po lulëzon”. Ai tha që ndjehet shumë i lumtur që po realizohen aktivitete të tilla në gjuhen frënge në UPHP.
“Gjuha frënge, përveç që është e bukur, e kemi edhe obligim dhe interes shtetëror që gjuhën frënge ta kemi pjesë të vendit tonë” është shprehur Dema.

Ambasadori Chabert u shpreh i kënaqur me realizimin e këtyre aktiviteteve. Chabert uroj studentët për suksesin e treguar, njëkohësisht nuk la pa përmendur edhe historinë dhe rëndësinë e gjuhës frënge në botë.
Ndërkaq, profesoresha së gjuhës frënge, njëherësh koordinatore e Qendrës Frankofone ne UPHP, prof. Valbona Gashi-Berisha, tha që aktiviteti i parë i realizuar përfshinte leximin e një romani në gjuhën frënge nga studentët për katër orë, aktivitet në të cilin morën pjesë 11 studentë. Ndërsa, aktiviteti i dytë i quajtur “Pikniku Poetik”, pati 80 pjesëmarrës, të cilët ishin studentë dhe staf të departamentit të frëngjishtes në UPHP.
Qendra Universitare Frankofone në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u inaugurua në shkurt të këtij viti, me qëllim që të ndihmojë në avancimin e frankofonisë në Universitetin e Prishtinës dhe në Kosovë.