Agim Agushi, rekorderi i Librit Ginis, viziton Rektoratin e UP-së

Administrator Administrator 17 January 2018 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, së bashku me ekipin e tij, priti sot në takim njeriun e rekordeve të Librit Ginis, z. Agim Agushin. Shkas i këtij takimi ishte vënia e themelit të bashkëpunimit që Universiteti i Prishtinës të jetë organizator i garës së rekordit të ardhshëm për Librin e rekordeve “Guinness”, së bashku me z. Agushi.

Rektori Dema falënderoi z. Agushi për vizitën që i ka bërë Universitetit të Prishtinës, por veçanërisht për përzgjedhjen që garën për rekordin e radhës ta organizoje në bashkëpunim me UP-në. Ai i premtoi Agushit që UP-ja do të angazhohet që çdo gjë të jetë e planifikuar sa më mire për organizmin e kësaj ngjarje madhore.

Ndërkaq, z. Agushi teksa falënderoi Rektorin Dema për pritjen, tha që është jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar që do të sfidohet nën petkun e Universitetit të Prishtinës. Agushi në këtë takim me menaxhmentin e UP-së, foli edhe për eksperiencat e tij, ndërkaq, disiplinën për të cilën ai mban rekordet në Librin e Ginisit ai e quajti “shkencë ku kërkohet precizitet i jashtëzakonshëm”.

Deri më tani Agushi ka thyer 21 rekorde botërore në disiplina të ndryshme, duke hyrë edhe në Librin e rekordeve të Ginisit. Ai njihet për rekordet e tij në disiplinën e goditjes së topit me kokë pa ndërprerje.

Se shpejti Universiteti  i Prishtinës do të fillojë me përgatitjet e organizimit të kësaj gare, për të cilën do të njoftoheni detajisht në ditët në vijim.